Punimet infrastrukturore në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit tashmë në fazën përfundimtare

Punimet infrastrukturore në Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit kanë hyrë në fazën përfundimtare, duke shënuar një tjetër hap drejt përmirësimit dhe modernizimit të kushteve për pacientët, stafin shëndetësor dhe qytetarët që marrin shërbime në këtë institucion.

Projektet infrastrukturore që janë duke u realizuar synojnë rritjen e funksionalitetit të hapësirave spitalore, përmirësimin e qasjes dhe të qarkullimit brenda kompleksit, si dhe krijimin e kapaciteteve shtesë për parkim. Në fokus është edhe funksionalizimi më efikas i hyrje-daljeve, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së pacientëve, stafit dhe automjeteve.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, ka vlerësuar se investimet në infrastrukturë përbëjnë një hap të rëndësishëm në procesin e modernizimit të vazhdueshëm të institucionit dhe në krijimin e kushteve më të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Sipas tij, bashkëpunimi me SHSKUK është në nivel të lartë institucional, ndërsa mbështetja dhe angazhimi i përbashkët po konkretizohen përmes projekteve që synojnë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve për pacientët.

Në këtë kuadër, drejtuesit e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit kanë shprehur mirënjohje të veçantë për Drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së, Elvir Azizi, për mbështetjen, përkushtimin dhe bashkëpunimin institucional në realizimin e projekteve infrastrukturore.

Me përfundimin e punimeve, pritet që hapësirat e reja dhe të përmirësuara të kontribuojnë në një funksionim më efikas të spitalit, qasje më të lehtë për pacientët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.

Investimet në infrastrukturë, sipas drejtimit të spitalit, janë pjesë e vizionit për një institucion më funksional, më të qasshëm dhe më të përshtatshëm për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë, duke krijuar një mjedis më të mirë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Artikuj të tjerë

Back to top button