
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e produkteve ushqimore nga kompania AD Mlekarna Tetovo në Maqedoninë e Veriut, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar vazhdimisht praninë e bakterit Esheria Coli në produktet e saj.
Esheria coli është një bakter që mund të transmetohet duke ngrënë ushqime që përmbajnë baktere. Simptomat e infeksionit përfshijnë:
- Përzier ose të vjella
- Dhimbje të forta të barkut
- Diarre me ujë ose shumë të përgjakshme
- Lodhje
- Ethe
Për të ndihmuar në shmangien dhe për të parandaluar infeksionin, trajtimi i ushqimit në mënyrë të sigurt është rregulli kyç për shmangien e infeksionit.Gjithashtu ky infeksion mund ta merret dhe duke gëlltitur ujë në një pishinë të kontaminuar.
Çfarë u konstatua dhe kur u finalizua ky vendim?
Vendimi është marrë më 6 nëntor 2026, pas kontrolleve të vazhdueshme dhe rezultateve të pakënaqshme të analizave mikrobiologjike.
Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë periudhës prill-tetor 2026 janë evidentuar 11 raste me rezultate të pakënaqshme laboratorike. Analizat janë kryer nga laboratorët e AUV-së, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe laboratori Food Lab në Maqedoninë e Veriut.
Produktet ku janë gjetur këto probleme përfshijnë krem të bardhë, produkte të tipit urda dhe përgatitje ushqimore me yndyrë bimore. Në mesin e tyre janë produktet me emrat Natura Sharplaninska, Olios dhe Bianco Vacuum.
Sipas AUV-së, këto produkte janë importuar në Kosovë përmes kompanive Vizioni M.Z.I, Dauti Komerc dhe Delfini L.T.D.
Agjencia ka bërë të ditur se të gjitha dërgesat në të cilat janë konstatuar probleme gjatë kontrolleve janë ndaluar në pikat kufitare dhe nuk janë lejuar të hyjnë në tregun e Kosovës.
Përveç ndalimit të importit, AD Mlekarna Tetovo është larguar edhe nga lista e stabilimenteve të aprovuara për import në Kosovë. Kjo do të thotë se asnjë produkt i këtij prodhuesi nuk mund të importohet ligjërisht në Kosovë derisa vendimi të mbetet në fuqi.
AUV ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet për të verifikuar nëse produkte të këtij prodhuesi, të importuara më herët, gjenden ende në depo, në rrjetet e shpërndarjes apo në dyqanet e Kosovës.
Në rast se identifikohen produkte që nuk i plotësojnë kushtet e sigurisë ushqimore, agjencia ka paralajmëruar ndalimin e shitjes dhe tërheqjen e tyre nga tregu, si dhe njoftimin e konsumatorëve.
Sipas AUV-së, prania e bakterit E. coli mund të tregojë probleme me higjienën gjatë prodhimit, përpunimit ose ruajtjes së produkteve ushqimore.
Agjencia ka bërë të ditur se kontrollet në kufi dhe në tregun e brendshëm do të vazhdojnë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.


