
Një rast tejet i rëndë për ngacmim seksual është raportuar sot në Prishtinë.
Sipas hetimeve është identifikuar dhe ndaluar një person 67-vjeçar i dyshuar për ngacmim seksual ndaj një vajze 9 vjeçare.
Ai dyshohet se më 14 shtator u vu pas vajzës 9 vjeçare pasi ajo kishte dalë nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”.
E mitura, në praninë e prindit dhe para përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, ka deklaruar se një burrë i moshuar e kishte ndjekur, e kishte pyetur për emrin dhe më pas dyshohet se e kishte kapur dhe puthur pa dëshirën e saj.
Rasti është raportuar po atë ditë dhe menjëherë kanë nisur veprimet hetimore.
Hetuesit kanë siguruar edhe pamjet e kamerave ku i dyshuari shihet duke e përcjellë vajzën.
Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti po trajtohet nën dyshimin për veprën penale “Ngacmimi seksual”
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.



