
Rasti tragjik në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku humbën jetën një 27-vjeçar dhe vajza e tij tre muajshe, po ngre pikëpyetje për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar historinë familjare të kësaj familjeje.
Qendra për Punë Sociale në Kamenicë ka shprehur se kishte qenë në dijeni për problemet familjare dhe rastin e dhunës në familje. Sipas institucionit, Policia e kishte njoftuar për rastin më 10 prill 2026.
Nga përgjigjja e QPS-së bëhet e ditur se nëna e foshnjës kishte pasur kontakte me institucionin, pasi ishte paraqitur si viktimë e dhunës në familje. Ajo dhe babai i fëmijës, të cilët më herët kishin qenë të fejuar, i kishin ndërprerë marrëdhëniet gjatë shtatzënisë, për shkak të konflikteve mes tyre.
Nëna kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje. Ndërsa në ditën e lindjes së vajzës, më 31 korrik, ajo kishte shprehur se nuk dëshironte ta merrte fëmijën nën kujdesin e saj. Sipas QPS-së, ajo nuk kishte shfaqur interesim as për ta vizituar foshnjën dhe kishte pranuar që emrin e saj ta caktonte babai.
Në anën tjetër, Qendra për Punë Sociale në Gjilan e kishte njoftuar institucionin në Kamenicë për të kaluarën e babait, duke bërë të ditur se ai kishte pasur probleme me përdorimin e substancave narkotike. Megjithatë, sipas informacioneve të përcjella, ai kishte marrë trajtim dhe gjendja e tij ishte përmirësuar.
Pavarësisht historikut të raportuar dhe shqetësimeve të ngritura, dy qendrat për punë sociale kishin arritur marrëveshje që foshnja t’i besohej babait dhe familjes së tij.
Një tjetër detaj i rëndësishëm që del nga përgjigjja e QPS-së në Kamenicë është se, në momentin kur ishte marrë vendimi për bashkimin familjar, institucioni nuk e kishte pasur në dispozicion vendimin për urdhrin e mbrojtjes emergjente. Ky dokument, sipas QPS-së, ishte siguruar vetëm në një fazë të mëvonshme.
Po ashtu, QPS-ja ka pranuar se nuk kishte të dhëna të hollësishme lidhur me gjendjen psikologjike të babait dhe trajtimin e mundshëm të tij nga profesionistët e shëndetit mendor.
Institucioni në fjalë ka përmendur edhe vështirësitë me të cilat përballet në punën e përditshme, përfshirë mungesën e një psikologu dhe numrin e pamjaftueshëm të punonjësve gjë kjo që ndikon në punën e përditshme të qendres për punë sociale
Këto të dhëna rikthejnë në vëmendje mënyrën e vlerësimit të rrezikut dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve në rastet kur mirëqenia dhe siguria e fëmijëve mund të jenë të cenuara.



