Limaj: Është koha për të vlerësuar subjektet politike që kanë #veçVEPRA konkrete, jo fjalë të thëna pa argumente

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj thotë se koalicioni i tyre ka qenë dhe mbetet i angazhuar vazhdimisht në aktivitete të ndryshme, duke zhvilluar biseda dhe bashkëpunim me të gjitha segmentet e shoqërisë – sindikatat, shoqatat, diasporën dhe çdo sektor tjetër.
“Kosova ka vetëm një koalicion të madh, një koalicion që përfaqëson koordinim të jashtëzakonshëm dhe përfshirje të të gjitha shtresave të shoqërisë”, thekson Limaj.
Nga siguria energjetike dhe anëtarësimi në NATO deri te mbrojtja e vlerave familjare, janë themelet që i garantojnë qytetarët tanë një të ardhme më të sigurtë, pohon ai.
“Dëshmitë për veprat që kemi realizuar janë prova të qarta të angazhimit dhe përkushtimit tonë për vendin. Ky muaj është një mundësi për të gjithë qytetarët që të vlerësojnë përpjekjet tona dhe të mos lejojnë që shpifjet, mashtrimet dhe gjuha e urrejtjes të ndikojnë në kursin e Kosovës”, vazhdon më tej Limaj.
Sipas tij, është koha për të vlerësuar subjektet politike që kanë #veçVEPRA konkrete, jo fjalë të thëna pa argumente.
“Ne angazhohemi për zgjedhje të lira dhe të drejta, duke ballafaquar me fakte dhe argumente të forta, dhe duke ftuar të gjitha grupet politike për të respektuar rregullat dhe ligjet. Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha strukturat, aktivistët dhe qytetarët e Kosovës, për punën dhe angazhimin e tyre të pandalur, që po bëjnë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e fitores. #veçVEPRA do të përcaktojë të ardhmen tonë”.