
Besian Hysaj është caktuar ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (KANS).
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, përmes një postimi në Facebook.
Basha ka njoftuar se vendimi është marrë nga këshilli mbikëqyrës i KANS-it, pas përfundimit të mandatit të drejtorit të mëparshëm. Në mbledhje ka marrë pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Basha, sipas tij, e kryeson këtë këshill në përputhje me ligjin.
“Me përfundimin e mandatit të drejtorit të përgjithshëm të KANS-it, së bashku me ministrin e Financave, z. Hekuran Murati, në cilësinë e anëtarëve të këshillit kbikëqyrës të cilin sipas ligjit e kryesoj unë, kemi mbajtur mbledhjen dhe kemi vendosur që z. Besian Hysaj të caktohet u.d. së drejtorit të përgjithshëm të Ofruesit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, për një periudhë prej gjashtë muajsh, me mundësi vazhdimi, deri në përzgjedhjen e drejtorit të ri.
Me këtë vendim do të garantohet vazhdimësia e drejtimit dhe funksionimit të rregullt në KANS, pa krijuar vakum institucional në një fushë të tillë me rëndësi të lartë për sigurinë dhe rregullsinë e trafikut ajror në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Basha



