Kjo është poezia imagjinare dhe emocionuese me nënën e tij, të cilin Jakup Krasniqi e kishte shkruar gjatë paraburgimit në Hagë në vitin 2021

Një poezi e shkruar në paraburgim, në formën e një bisede imagjinare me nënën, tregon një anë tjetër të Jakup Krasniqit gjatë qëndrimit në Hagë

Në vargjet e shkruara me dorë, Krasniqi i drejtohet nënës, i kërkon të mos shqetësohet dhe i rrëfen vështirësitë që po kalon. Përgjigjen e saj e ndërton vetë, si një mënyrë për t’i dhënë kurajë vetes përballë paraburgimit.

Nënë ime! Kërkoj nga Ti fare të mos shqetësohesh”, shkruan Krasniqi, ndërsa më tej e imagjinon nënën duke i dhënë zemër. Ajo i drejtohet me fjalët “Biri jem!” dhe e këshillon të mos dorëzohet përballë asaj që po kalon.
“Jeta e çdo njeriu kurrë është një ndeshje”, shkruan ai në zërin e nënës, duke e lidhur forcën për të përballuar vështirësitë me edukimin që ajo i kishte dhënë.


Nëna i kujton të birit se gjatë jetës së tij kishte kaluar edhe shumë sprova të tjera dhe i kërkon ta përballojë “me nder” edhe këtë vështirësi. Në fund, vargjet marrin formën e një urimi: “Të uroj fitore në këtë përballje”, për t’u kthyer sa më parë në vendin e tij dhe për ta mbyllur “me krenari” atë që kishte nisur. “Që të kthehesh sa më parë në Republikën tënde. Për ta mbyllur me krenari veprën që e bëre”, përfundon poezia e Krasniqit.
Biseda imagjinare e Jakup Krasniqit me nënën kthehet në një mënyrë për t’i dhënë zemër vetes në paraburgim, në Hagë, në maj të vitit 2021.


Teksti i poezisë:
Nëna ime!
Kërkoj nga Ti, fare të mos të shqetësohesh
Se shumë furtuna të vështira kam kaluar
Se Ti O NËNË më bëre luftëtar e qëndrestar
Ty të përkulem për atë edukim fisnik
Që nuk me la asnjëherë me u koritë
Para asnjë vështirësie s’u përkula n’jetë
Kjo e “demokracisë” s’ka asgjë të vërtetë
Se ato të tjerat që i kalova në burgje, “e luftë”
Këtë e kapërcej me lehtësi e duke u buzëqeshë
Se ty të pata Nënë, “bujareshë” trime e sokoleshë
Vet më mësove me kulçedra mu ndeshë
Dhe për fitore sublime me ra edhe fli!
Biri jem!
Jeta e çdo njeriu kurdo është një ndeshje
Varet nga edukimi që njeriu merr me vete
Në jetën tende shumë herët u sprovove
Të gjitha vështirësitë me nder i kalove
Sa herë që me armiqtë e egër u përballe
Me zemër Nënë të uroj fitore në k’të përballje
Që të kthehesh sa më parë në Republikën tënde
Për ta mbyllur me krenari veprën që e bëre!
Hagë, maj 2021

Artikuj të tjerë

Back to top button