
Një 58-vjeçare dyshohet se është vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj pas një konflikti në banesë, në rrugën “Panorama” në Tiranë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:20. Viktima, Lumturie Patushi, 58 vjeçe, dyshohet se është goditur me mjet prerës nga bashkëshorti i saj, Hysni Patushi, 68 vjeç.
Pas ngjarjes, 68-vjeçari është larguar nga banesa dhe është shpallur në kërkim. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kërkimet për kapjen e tij.
Sipas raportimeve paraprake, në momentin e ngjarjes dyshohet se ka qenë i pranishëm edhe nipi 14-vjeçar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi motivin e konfliktit.
Policia njoftoi: “Rreth orës 10:20, në rrugën ‘Panorama’, dyshohet se, pas një konflikti në banesë, shtetasi H. P., 68 vjeç, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L.P., 58 vjeçe, e cila ka humbur jetën.”
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar./euronews.al



