Vjedhja e rëndë në Leposaviq me 5 qershor të këtij viti: Policia njofton se i ka arrestuar katër personat e dyshuar

Më 5 qershor të këtij viti, në stacionin policor në Leposaviq është iniciuar rasti penal “Vjedhje e rëndë”.

Sipas deklarimit të ankuesit, gjatë kohës sa ai kishte qenë jashtë vendit, në shtëpinë e tij në fshatin Kneževo Berdo, në Leposaviq, i ishin vjedhur një automjet, një motokultivator, tre gjeneratorë, si dhe disa mjete të tjera.

Vlera e përgjithshme e të gjitha sendeve të vjedhura, sipas ankuesit, ishte rreth 6,000 euro

Pas një pune hetimore dhe operative, zyrtarët policorë dje kanë arritur deri tek informacionet lidhur me vendndodhjen e automjetit të vjedhur, ndërsa më pas është bërë edhe identifikimi i pesë personave të dyshuar në lidhje me këtë rast.

“Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, me ç’rast policia ka arritur t’i arrestojë pesë personat e dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin. Gjatë intervistimit, të dyshuarit kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale në fjalë” thuhet në njoftimin e policisë.

Nga PK-ja bëjnë me dije se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit: G.Z., i lindur më 1995, D.D., i lindur më 2003, N.P., i lindur më 2007, dhe J.V., i lindur më 1997, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari N.S., i lindur më 2004, është liruar në procedurë të rregullt.

Të njëjtit janë arrestuar në zonën e Leposaviqit.

Policia po ashtu ka arritur të gjejë automjetin e vjedhur, motokultivatorin, si dhe disa nga pajisjet e tjera të vjedhura, të cilat i janë kthyer pronarit.

Policia e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale, si dhe në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjen e pronës së qytetarëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button