Trump falënderon Kosovën për kontributin me trupa në Bordin e Paqes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka falënderuar Kosovën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e përmendur si një nga shtetet që ka vendosur të kontribuojë me trupa dhe trajnime në kuadër të përpjekjeve për stabilizimin e Gazës.

Duke folur për përpjekjet për vendosjen e paqes në Gaza dhe shtetet që janë përfshirë në këtë proces, Trump ka përmendur vendet që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit.

“Dua të falënderoj ato që kanë vendosur të kontribuojnë me trupa e trajnime për të stabilizuar Gazën, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe më shumë”, ka deklaruar Trump.

Kosova ka miratuar dërgimin e trupave në Gaza në kuadër të një force ndërkombëtare të sigurisë, e cila vepron në kuadër të iniciativës së mbështetur nga administrata amerikane dhe të lidhur me Bordin e Paqes të udhëhequr nga Trump.

Trump e ka përmendur Kosovën edhe në një pjesë tjetër të fjalimit, kur ka folur për konfliktet që, sipas tij, janë ndalur gjatë mandatit të tij. Në listën e konflikteve ai ka përfshirë edhe Kosovën dhe Serbinë.

Presidenti amerikan ka pretenduar se gjatë shtatë muajve ka arritur të ndalë shtatë luftëra, duke përfshirë konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë pretendim Trump e ka bërë edhe më herët, ndërsa administrata e tij e përfshin Kosovën dhe Serbinë në listën e konflikteve që ajo i konsideron të ndalura.

Artikuj të tjerë

Back to top button