
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar sot me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Takimi është zhvilluar në Selinë Qendrore të LDK-së, ku Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin britanik për qëndrimet e kësaj partie lidhur me zhvillimet e fundit politike.
Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku ka theksuar se partia që ai drejton mbetet e përkushtuar ndaj “mbrojtjes së interesit të Republikës dhe funksionalitetit të institucioneve demokratike”.
Në takim është diskutuar edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me Abdixhikun që ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike ndaj Kosovës.
Ai ka theksuar, sipas LDK-së, “rëndësinë e partneritetit të fuqishëm ndërmjet dy vendeve” dhe të bashkëpunimit të ngushtë në funksion të demokracisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës.
Takimi vjen në një periudhë kur në Kosovë janë në fokus zhvillimet politike dhe procesi i konstituimit të institucioneve të reja.



