Vrasja e argjentinases në Kosovë: Anulohet seanca ndaj Endrit Nikës, problemi i përkthyesit “bllokon” rigjykimin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar seancën ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray.

Seanca është anuluar, pasi gjykata nuk ka arritur të sigurojë një përkthyes që mund të përkthejë në mënyrë të përshtatshme gjuhën gjermane, përkatësisht variantin e gjermanishtes që përdoret në Zvicër.

Sipas avokatit mbrojtës të të akuzuarit, Tomë Gashi, përkthyesi i siguruar nga gjykata flet gjermanisht, por jo dialektin zviceran që, sipas avokatit, përdoret nga i akuzuari.

Nika është gjykuar edhe më herët për këtë rast. Ai ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim për veprën penale: “Vrasjes së rëndë” të partneres së tij.

Rasti lidhet me ngjarjen e gushtit të vitit 2023, kur Maria Clara Urdangaray humbi jetën pasi ra nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit “Sonoma” në Fushë-Kosovë.

Sipas të dhënave të përmendura në dokumentarin për rastin, Urdangaray ndërroi jetë rreth orës 04:27 të 1 gushtit 2023, rreth tri orë pasi kishte rënë nga dritarja e hotelit ku po qëndronte së bashku me Nikën.

Prokuroria pretendon se paraprakisht kishte pasur përleshje fizike, gjatë së cilës viktima, sipas aktakuzës, ishte goditur dhe shtyrë deri në cep të dhomës, pa mundësi largimi. Më pas, sipas pretendimeve të prokurorisë, korniza e dritares ishte shkëputur dhe viktima kishte rënë nga kati i gjashtë.

Nika është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave

Artikuj të tjerë

Back to top button