
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka shprehur shqetësim për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar atë si një proces të panevojshëm në një kohë kur vendi përballet me sfida të shumta ekonomike dhe institucionale.
Zeka ka bërë thirrje për kompromis dhe konsensus politik, me qëllim funksionalizimin e plotë të institucioneve dhe avancimin e reformave ekonomike e të proceseve të integrimit euro-atlantik.
“Realisht ne, përtej kostos së zgjedhjeve, si domethënë si një proces i cili, duke krahasuar që brenda dy viteve mund të bëhet për herën e katërt, është absolutisht i panevojshëm. Aq më tepër që edhe rezultati zgjedhor nuk është që po pëson ndryshime të mëdha, por natyrisht edhe gatishmëria e partive për të gjetur një kompromis edhe një konsensus, qoftë për emrin e një personi që do të drejtojë atë zyrën e presidentit/presidentes, ose për aspektet e tjera që janë shumë të rëndësishme e që janë të natyrës politike”, ka deklaruar Zeka.
Ai ka thënë se shpreson që faktorët politikë, në veçanti partia që bart pushtetin, por edhe partitë opozitare, të shtyjnë përpara idenë e konsensusit dhe të mos favorizojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Uroj që megjithatë faktorët politikë, të gjitha forcat, në rend të parë partia e cila është bartëse e pushtetit, meqë ka një numër më të madh të votave të fituara, ka një përgjegjësi rrjedhimisht pak më të madhe, edhe partitë opozitare të shtyjnë përpara idenë e konsensusit edhe mos të, si të thuash, mos të favorizohen aq shumë idetë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai.
Sipas Zekës, Kosova ka nevojë për institucione me mandat të plotë vendimmarrës, veçanërisht sa i përket qeverisjes ekonomike.
“Vendi ka nevojë për institucione të cilat kanë mandat të plotë vendimmarrës, sidomos në aspektin e qeverisjes ekonomike. Për vite me radhë vendi nuk ka parë një reformë të re fiskale pas asaj të vitit 2015, rrjedhimisht bizneset kanë nevojë që të shohin diçka të tillë”, ka deklaruar Zeka.
Ai ka theksuar se, përveç nevojave të bizneseve, edhe situata socio-ekonomike kërkon politika të qëndrueshme, sidomos duke marrë parasysh normën e lartë të inflacionit gjatë viteve të fundit.
“Por përtej bizneseve dhe nevojave të tyre, duke e ditur edhe normën e lartë të inflacionit të cilën ju e përmendët gjatë viteve të fundit, sidomos në këtë tre-mujor të këtij viti, domethënë vendi ka nevojë edhe për politika të qëndrueshme në menaxhimin e situatës socio-ekonomike, jo përmes dhënies së ndihmave financiare, qoftë në periudha para-zgjedhore ose periudha të tjera, por politika të cilat gjenerojnë rezultate më konkrete”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Zeka ka përmendur edhe disa nga masat fiskale që, sipas tij, do të ndihmonin në menaxhimin më të qëndrueshëm të situatës ekonomike.
“Domethënë, këtu sërish këto politika lidhen me fushën fiskale: ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar për një numër më të madh të produkteve, heqje të akcizës ose ulje të akcizës për produkte të tjera, të cilat do të ndihmonin në mënyrë më të qëndrueshme në menaxhimin e kësaj situate”, ka deklaruar Zeka.
Duke folur për ndikimin e situatës aktuale te qytetarët, Zeka ka thënë se qytetari është ai që e bart koston më të lartë të shtrenjtimit të jetesës.
“Domethënë përgjigja është fare e thjeshtë, qytetari dëmtohet. Domethënë bart koston më të lartë të kësaj, të shtrenjtimit të kostos së jetesës”, ka thënë ai.
Sipas tij, rritja e pagës minimale nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostos së jetesës.
“Pagat në anën tjetër, pavarësisht ngritjes së pagës minimale, domethënë nuk është që pagat në mënyrë monetare kanë shënuar një ngritje të madhe sa për të ballafaquar koston e ngritur të jetesës”, ka deklaruar Zeka.
Në këtë drejtim, ai ka përsëritur nevojën për një ekzekutiv dhe legjislativ plotësisht funksional, pasi shumë prej reformave kërkojnë edhe miratimin e Kuvendit.
Zeka ka vlerësuar se mosfunksionimi i vazhdueshëm i institucioneve ka ndikuar edhe në ngecjen e reformave socio-ekonomike dhe të proceseve të integrimit euro-atlantik.
“Gati dy vite po bëhen që ne kemi pasur vetëm një tre-katër muaj të funksionimit të Kuvendit të Republikës, që do të thotë edhe reforma socio-ekonomike, edhe reforma në integrimin euro-atlantik kanë ngecur”, ka përfunduar Zeka.



