
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Shpëtim Robaj” në Malishevë ka falënderuar kompaninë KosovaMed Healthcare për kontributin e dhënë në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese për Muajin Rozë, shkruan TandemPress.
Sipas QKMF-së, KosovaMed Healthcare ka bërë donacionin e dy banerëve me përmbajtje sensibilizuese për kancerin e gjirit, ndërsa ka kontribuar edhe në rregullimin e recepsionit dhe hapësirave të tjera përcjellëse në shërbimin e Radiologjisë.
“Ky kontribut e bën hapësirën më të përshtatshme për pritjen e qytetareve dhe ndihmon që mesazhi për rëndësinë e kontrollit të gjirit të arrijë te më shumë gra”, thuhet në falënderimin e QKMF-së “Dr. Shpëtim Robaj”.
Nga kjo qendër shëndetësore kanë vlerësuar se mbështetja në aktivitete të tilla kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.
“Faleminderit për mbështetjen dhe bashkëpunimin!”, thuhet në mesazhin e QKMF-së për KosovaMed Healthcare./TandemPress/



