Shtatë gazetarë të Klan Kosovës japin dorëheqje, shkak moskompensimi për punën shtesë

Shtatë gazetarë të portalit Klan Kosova kanë dhënë dorëheqje të përbashkët, pasi kërkesa e tyre për kompensim shtesë për angazhimin në mbulimin e formatit televiziv Big Brother VIP Kosova nuk është marrë parasysh, sipas deklarimit të gazetares Genita Ukaj.

Përmes një reagimi publik, Ukaj ka bërë të ditur se ajo dhe gjashtë kolegët e saj kërkuan që puna shtesë dhe angazhimi i jashtëzakonshëm gjatë raportimit për këtë format të vlerësoheshin dhe të kompensoheshin në mënyrë të drejtë.

Sipas saj, ky qëndrim ishte i përbashkët dhe kërkesa e tyre i ishte paraqitur udhëheqëses së portalit disa javë më parë, por shqetësimet e gazetarëve nuk u morën parasysh.

“Jo punë shtesë, pa pagesë!”, ka shkruar Ukaj në reagimin e saj.

Ajo ka bërë të ditur se në mesin e gazetarëve që u larguan janë Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum A. Gashi, Albert B. Bajrami, Kasim Gerbeshi dhe Endrit Krasniqi.

Ukaj ka theksuar gjithashtu se largimi nga puna është veçanërisht i vështirë për të, pasi ndodhet në muajin e pestë të shtatzënisë.

“U detyrova që në këtë periudhë kaq të ndjeshme të jetës sime të largohem dhe të mbetem e papunë, për të mos lejuar që dinjiteti im të shkelet”, ka deklaruar ajo.

Në reagimin e saj, gazetarja ka theksuar se ekipi nuk pranoi që ngarkesa dhe presioni në punë të shtoheshin pa kompensim, duke e cilësuar dinjitetin profesional si të panegociueshëm.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, në deklaratën e paraqitur nuk përfshihet një qëndrim i Klan Kosovës lidhur me pretendimet e gazetarëve dhe arsyet e largimit të tyre.

Artikuj të tjerë

Back to top button