Kryeprokurori i Shtetit ricakton tri lëndë penale në rastin vrasjës së Arlinda Zekajt

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë tri vendime për ricaktimin e lëndëve penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet janë marrë në bazë të kompetencave ligjore, duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë të çështjeve, pasojat e rënda dhe nevojën për trajtim efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve.

Ricaktimi synon që rastet të trajtohen me kujdesin dhe seriozitetin e duhur, në përputhje me ligjin dhe rrethanat e secilit rast.

Paralelisht, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është duke analizuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet eventuale institucionale lidhur me rastet e raportuara nga e ndjera.

Ky proces përfshin shqyrtimin e kronologjisë së veprimeve të ndërmarra, vendimeve të nxjerra, vlerësimit të rrezikut dhe masave të ndërmarra për mbrojtjen e saj, si dhe të rrethanave të tjera që mund të ndihmojnë në përcaktimin e përgjegjësive eventuale.

Në njoftim thuhet se do të kërkohet llogaridhënie për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet. Në rast se evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa në përputhje me ligjin dhe kompetencat përkatëse.

Zyra e Kryeprokurorit thekson se vlerësimi do të bëhet mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave përkatëse, pa paragjykuar përgjegjësinë e ndonjë personi.

Artikuj të tjerë

Back to top button