
Një 61-vjeçar është arrestuar në Suharekë, pasi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në bjeshkët e Bukoshit, ku një plumb kishte goditur automjetin e dy vëllezërve që po prisnin dru me leje.
Rasti ka ndodhur dje më 29 tetor, rreth orës 14:30. Dy vëllezërit e kanë raportuar rastin në Policinë e Mushtishtit, duke deklaruar se kishin dëgjuar një krismë arme dhe më pas kishin vërejtur se një predhë kishte depërtuar në automjetin e tyre.
Pas hetimeve, policia ka identifikuar të dyshuarin, në shtëpinë e të cilit, në fshatin Bukosh, ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit Zastava 99 dhe 59 fishekë.
Gjatë intervistimit, 61-vjeçari ka pranuar se kishte shtënë në ajër, por ka deklaruar se nuk kishte pasur qëllim të lëndonte askënd.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.



