Komisioni Evropian: Po vlerësojmë projektligjin për Bankën e Shqipërisë

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me ndryshimet e fundit në projektligjin për Bankën e Shqipërisë, konkretisht nenin 72, i cili parashikon mbrojtje ligjore për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë gjatë ushtrimit të detyrës.

I pyetur nga gazetari i Euronews Albania, Thimi Samarxhiu, një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se institucioni është në dijeni të ndryshimeve dhe po shqyrton projektligjin në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Në përgjigjen e tij, zëdhënësi iu referua gjithashtu privilegjeve dhe imuniteteve që gëzojnë guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të BE-së, sipas Protokollit nr. 7 mbi privilegjet dhe imunitetet e Bashkimit Evropian.

Sipas Komisionit Evropian, këto privilegje lidhen me veprimet e kryera nga guvernatorët në ushtrimin e detyrave të tyre zyrtare si anëtarë të një organi të Bankës Qendrore Evropiane.

Përgjigjja e Komisionit Evropian

“Komisioni Evropian është në dijeni të ndryshimeve të fundit të bëra në nenin 72 të projektligjit për Bankën e Shqipërisë. Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (Kapitulli 17), Komisioni po shqyrton projektligjin për Bankën e Shqipërisë.

Guvernatorët e bankave qendrore kombëtare të vendeve anëtare të BE-së gëzojnë privilegjet dhe imunitetet e parashikuara në Protokollin nr. 7, mbi privilegjet dhe imunitetet e Bashkimit Evropian, për sa u përket veprimeve të kryera në ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare si anëtarë të një organi të Bankës Qendrore Evropiane.

Që nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, neni 72, që lidhet me mbrojtjen ligjore gjatë ushtrimit të detyrave, do të zbatohet pa cenuar privilegjet dhe imunitetet që guvernatori gëzon në bazë të Protokollit nr. 7”.

Artikuj të tjerë

Back to top button