
Edhe pas vrasjes së Arlinda Zekajt, dhuna ndaj grave dhe vajzave vazhdon të shfaqet në përmasa shqetësuese në raportet e Policisë së Kosovës. Sulme fizike, kërcënime, dhunë psikologjike dhe shkelje të urdhrave mbrojtës janë raportuar në disa qytete të vendit.
Nga shqyrtimi i tri raporteve të fundit policore, për periudhën 29–31 tetor, rezultojnë të paktën 24 raste ku gra dhe vajza kanë përjetuar dhunë në familje.
Përveç tyre, është raportuar edhe një rast i shkeljes së urdhrit mbrojtës ndaj një gruaje.
Në rastet e përfshira në këtë përmbledhje, të paktën 16 të dyshuar janë dërguar në mbajtje.
Raporti i 29 tetorit: Nëntë raste të dhunës ndaj grave dhe vajzave
Në raportin e 29 tetorit, Policia ka evidentuar nëntë raste të dhunës në familje ku viktima ishin gra ose vajza.
Në Fushë Kosovë, Kamenicë dhe Shtime, tri gra janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.
Në Novobërd, një baba është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur. Një rast i ngjashëm është raportuar edhe në Prishtinë.
Në Pejë, një grua është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj, ndërsa në Deçan një tjetër ka raportuar dhunë të vazhdueshme psikologjike nga bashkëshorti.
Në rastin e Deçanit, Policia ka sekuestruar edhe një armë automatike nga shtëpia e të dyshuarit, i cili më pas është liruar.
Ndërkohë, në Prishtinë janë raportuar dhunë psikologjike ndaj një gruaje nga ish-bashkëjetuesi dhe kërcënim me video-incizime nga partneri.
Po në kryeqytet, është raportuar veçmas edhe shkelja e një urdhri mbrojtës ndaj një gruaje nga ish-bashkëjetuesi i saj.
Raporti i 30 tetorit: Tetë raste, mes viktimave edhe dy vajza të mitura
Raporti i 30 tetorit përfshin tetë raste të tjera ku gratë dhe vajzat janë përballur me dhunë në marrëdhënie familjare ose intime.
Në Fushë Kosovë, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Në një rast tjetër, dy vajza të mitura janë sulmuar nga vëllezërit.
Dy të dyshuarit për sulmin ndaj vajzave të mitura, sipas Policisë, ndodheshin në arrati në kohën e raportimit.
Në Prishtinë, një grua është larguar nga shtëpia prej ish-bashkëshortit, së bashku me foshnjën e saj. Ajo është dërguar në strehimore.



