
Më 29.10.2026, TandemPress kishte raporuar se dy persona të dyshuar për krime lufte janë arrestuar në komunën e Istogut.
Policia e Kosovës dy ditë më parë kishte njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në rastin e “Masakrës së Padalishtës” në komunën e Istogut.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve Zikica Belosoviq dhe Gruica Belosoviq, të dyshuar për krime lufte në rastin e “Masakrës së Padalishtës” në Komunën e Istogut.
Caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore për një periudhë të gjatë kohore në drejtim të dokumentimit të rastit i njohur si “Masakra e Padalishtes” e ndodhur më 26.03.1999, në Komunën e Istogut.
“Në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, hetuesit e Sektorit për Krime Lufte kanë ndërmarrë edhe veprime operative, në përputhje me autorizimet përkatëse, duke angazhuar njësi në terren dhe si rezultat i këtyre veprimeve, sot, më 29.10.2026 janë lokalizuar dhe arrestuar dy të dyshuarit.
Sipas njoftimit, të gjitha veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do te ndërmerren në bashkërendim me Prokurorinë Speciale.



