Haxhiu takon kryetarët e grupeve parlamentare, diskutojnë për punën e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim kryetarët e grupeve parlamentare, me të cilët ka diskutuar për punën e Kuvendit dhe organizimin e seancave parlamentare në muajt në vijim.

Përmes një postimi, Haxhiu ka bërë të ditur se takimi u zhvillua në frymën e një diskutimi të hapur dhe konstruktiv, ku u trajtuan prioritetet e Kuvendit dhe puna që i pret deputetët.

“Sot prita në takim kryetaret dhe kryetarët e grupeve parlamentare, me të cilët zhvilluam një diskutim të hapur dhe konstruktiv për punën që na pret, prioritetet si Kuvend si dhe për organizimin e seancave parlamentare në muajt në vijim.

Në Kuvend, secili grup parlamentar përfaqëson bindje dhe qëndrime të ndryshme, dhe kjo është pjesë e natyrshme e pluralizmit demokratik. Është e rëndësishme që për interesat e përbashkëta të kemi koordinim të plotë, të respektojmë dallimet dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët aty ku ekzistojnë mundësitë për bashkëpunim.

Qytetarët presin nga ne përgjegjësi, përkushtim dhe vendimmarrje që adreson nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke dhënë përgjigje konkrete ndaj pritjeve të tyre”, ka shkruar Haxhiu.

Artikuj të tjerë

Back to top button