Policia kërkon informacione për vendndodhjen e Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit, e cila u vra më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se kërkesa për bashkëpunim me qytetarët vjen në bazë të urdhëresës së Gjykatës për seancën e caktuar më 10 nëntor 2026.

“Policia e Kosovës, bazuar në urdhëresën e Gjykatës për seancën e datës 10 nëntor 2026, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarit Adnon Jashari, i kërkuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Kushdo që ka informacione për vendndodhjen e tij, të na njoftojë përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com ose duke u paraqitur direkt në stacionin më të afërt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka publikuar edhe dy fotografi të Jasharit, duke kërkuar nga qytetarët që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij t’i ndajnë ato me autoritetet.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar këtë javë se më 22 tetor 2026 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj ish-partnerit të Diana Kastratit.

Sipas aktakuzës, A.J. dyshohet se më 18 maj 2011 e privoi nga jeta Dianën, duke e qëlluar me armë zjarri në qafë, në udhëkryqin e rrugëve “Haxhi Zeka” dhe “Xheladin Kurbaliu” në Prishtinë.

Artikuj të tjerë

Back to top button