
Inspektorati i Arsimit nga java e ardhshme do t’i vizitojë shkollat në Kosovë për t’u siguruar se mjetet e subvencionimit janë përdorur për blerjen e teksteve shkollore.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës pasi ju ka rikujtuar të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë se tekstet dhe materialet shkollore të subvencionuara për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9) duhet të ruhen me kujdes dhe të kthehen në shkollë në përfundim të vitit mësimor
“Inspektorati do të nisë procesin e verifikimit se nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore dhe që procesi mësimor po vijon i rregullt.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
“Nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe kthimin e teksteve shkollore në gjendje të përshtatshme për ripërdorim. Dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës, në përfundim të vitit mësimor.” kanë thënë nga Ministria e Arsimit.
Pas subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, për herë të parë këtë vit Ministria u kërkoi prindërve që përmes një deklarate të deklarojnë se paratë e subvencionimit i kanë përdorur për blerjen e teksteve shkollore dhe se fëmijët e tyre i kanë në dispozicion tekstet.Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kujdesen për ruajtjen e teksteve shkollore, në mënyrë që ato të mund mësojnë dhe shërbehen gjeneratat e ardhshme të nxënësve.
Në bazë të vendimit të ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku, prindërit të cilët i kanë fëmijët në klasën e parë apo të dytë u subvencionuan për tekste shkollore në vlerë prej 60 euro; për klasën e 3 në vlerë prej 65 euro; për klasën e katërt në vlerë prej 70 euro; të pestën në vlerë prej 80 euro; të gjashtën e shtatën në vlerë prej 90 euro; kurse për të tetën dhe të nëntën 100 euro.Ministria e Arsimit këtë vit i ka subvencionuar edhe nxënësit, prindërit e të cilëve nuk kanë lejeqendrim në Kosovë, por kanë vërtetim se nxënësi vijon mësimin në vend.



