
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dy nga të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar 10 mijë euro nga një qytetar për të ndikuar në vendimmarrjen e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar hetime disa mujore, pas të cilave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar katër persona me inicialet E.P., S.J., S.M. dhe A.D.
Sipas hetimeve, E.P. dhe S.J. dyshohet se i kanë kërkuar të dëmtuarit M.S. shumën prej 10 mijë eurosh, me qëllim të ndikimit në vendimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit lidhur me një kontest pronësor për shpronësim.
Nga kjo shumë, sipas dyshimeve, 5 mijë euro do t’i jepeshin gjyqtarit, ndërsa 5 mijë eurot e tjera do të ndaheshin në mënyrë të barabartë mes dy të dyshuarve.
Rasti i dytë lidhet me një konkurs pune në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku dyshohet se tre zyrtarë kanë ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitën „Zyrtar për Shërbime“.
Sipas Prokurorisë, E.P. dhe A.D., zyrtarë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, si dhe S.M., zyrtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dyshohet se kanë ndikuar në rezultatin e konkursit, duke favorizuar një kandidat në mënyrë të padrejtë. Si rezultat, në këtë pozitë dyshohet se është punësuar një familjar i S.M.
E.P. dhe S.J. dyshohen për tri vepra penale: keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe pranim të ryshfetit në sektorin privat. Ndërkaq, A.D. dhe S.M. dyshohen për ushtrim të ndikimit.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa për rastin do të ndërmerren veprimet e mëtejshme ligjore



