“Dëgjuam mbi 270 dëshmitarë…”, vendimi për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit për katërshen e UÇK-së

Paneli Gjykues në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka vendosur ta shtyjë afatin për shpalljen e aktgjykimit përtej 19 majit.
Sipas rregullores së Speciales, tashmë Trupi Gjykues do të ketë kohë deri më 20 korrik për ta dhënë vendimin përfundimtar në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e madje në rrethana të jashtëzakonshme të cilat do t’i vlerësojë me kohë, mund të vendosë ta shpallë aktgjykimin edhe përtej 20 korrikut.
Arsye për këtë vendim është rasti voluminoz, siç thuhet në vendimin e kryegjyqtarit Charles Smith.
“Paneli vëren se gjatë zhvillimit të procesit, ka pranuar prova nga rreth 270 dëshmitarë (fizikisht dhe me shkrim) dhe ka pranuar 5,497 dokumente në prova. Transkripti i këtij procesi është i gjatë plot 29,238 faqe. Paneli thekson edhe ndërlikueshmërinë e këtij tasti. Në veçanti, faktet e këtij rasti mbulojnë periudhën kohore prej më shumë se 1 vit e gjysmë dhe përfshijnë vende të shumta të krimeve të pretenduara.”
Smith thotë se rasti është shumë i ndërlikuar, për çka koha shtesë u duhet gjyqtarëve ta vlerësojnë secilën provë siç duhet.
“Në përputhje me këtë, për të siguruar se Paneli mund të bëjë një vlerësim të plotë dhe të drejtë të fakteve të pranuara dhe të ofrojë një mendim të arsyetuar siç duhet që shpjegon vëllimin e konsiderueshëm të provave dhe kompleksitetin e procedurave, Paneli vlerëson se rrethanat e rastit kërkojnë kohë shtesë, pra 60 ditë, për ta shpallur aktgjykimin.”
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u mbyll zyrtarisht më 18 shkurt, në bazë të urdhrit gojor të kryetarit të trupit gjykues, menjëherë pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare të katërshes./Klankosova.tv



