Dënohen me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit për rastin Banjska, njëri “shpëton” me 30 vjet burgim

Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq të akuzuar për rastin e njohur si “Banjska”, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Vendimi është shpallur të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arni.

Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq janë tre prej 45 personave që akuzohen për pjesëmarrje në rastin Banjska.

Më 11 shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 42 personave të tjerë, në mesin e tyre edhe kryeterroristi Millan Radoiçiq, i cili nuk është arritur të kapet nga organet e drejtësisë.

Prokuroria më parë kishte kërkuar gjykim në mungesë edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, por që u hodh poshtë si e pabazë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ata akuzohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë.

Ndërkaq, kreu i vetëshpallur i këtij grupit terrorist të strukturuar, Millan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Millan Radoiçiq i uniformuar qëndron në manastirin e Banjskës, pas sulmit terrorist në Banjskë, Zveçan, 24 shtator, 2023.

Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Millan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, në mesin e të cilëve edhe kryeterroristin Radoiçiq, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Artikuj të tjerë

Back to top button