Dhuna në familje s’ndalet: Gra të sulmuara e të kërcënuara nga burrat, djali ushtron dhunë psikike ndaj nënës

Edhe pse vrasja makabre të Arlinda Zekajt, dhuna ndaj grave në Kosovë ka vazhduar të jetë prezente.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, janë raportuar disa raste të dhunës në familje dhe kërcënimeve ndaj grave, përfshirë sulme fizike nga bashkëshortët dhe ish-bashkëshortët

Në Gjakovë, më 28 tetor, është arrestuar një burrë nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po ashtu në Gjakovë, një grua kishte raportuar se ishte kërcënuar dhe sulmuar fizikisht nga burri me të cilin bashkëjetonte. I dyshuari është arrestuar më 27 tetor dhe, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë, një grua është kanosur nga ish-bashkëshorti i saj, i cili ndodhet në arrati. Rasti është duke u hetuar.

Ndërkaq, në Skenderaj, një grua që është në proces të shkurorëzimit ka raportuar se ishte kërcënuar përmes telefonit nga bashkëshorti i saj, i cili ndodhet jashtë shtetit.

Një tjetër rast është regjistruar në Gjilan, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Policia ka bërë të ditur se rastet janë trajtuar në procedura të ndryshme, varësisht nga rrethanat, ndërsa disa prej tyre mbeten nën hetime.

Artikuj të tjerë

Back to top button