
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharëve, në Prekaz të Skenderajt.
Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga prokurori Valdet Gashi.
“Si rezultat i hetimeve, bazuar në prova materiale dhe personale, kemi arritur të identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët kanë mbajtur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të forcave serbe”, tha Gashi.
Aktakuza është dorëzuar 28 vjet pas ngjarjeve të marsit të vitit 1998, kur forcat serbe sulmuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.
Sulmi, i zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars 1998, la të vrarë mbi 50 persona, përfshirë 22 anëtarë të familjes së ngushtë të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.



