
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, F.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe E.D., shtetas i Republikës së Kosovës, të dyshuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”.
“Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 02.09.2026, në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) –Ferizaj, lidhur me dyshimin për veprimtari të kundërligjshme me substanca narkotike, gjatë kontrollit të shtëpisë së të pandehurit F.D., në Ferizaj, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale: katër kavanoza qelqi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 4929 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë 4.6 gram, një peshore digjitale, foli transparente për paketim, qese të zbrazëta transparente, një pistoletë me gaz me një karikator, pesë fishekë, para të gatshme në euro dhe lekë, veturë e llojit “Passat” me targa të Shqipërisë dhe çelësi i saj, si dhe telefona, kartela SIM dhe sende të tjera materiale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të bodrumit të një banese në rrugën “Beteja e Koshares” në Ferizaj, ku dyshohet se lidhet me të pandehurin E.D., janë gjetur dhe konfiskuar 566 gramë marihuanë, si dhe sasi të tjera prej 21.7 gramësh, 0.49 gramësh dhe 0.2 gramësh.
Në total, sipas të dhënave të Prokurorisë, gjatë kontrolleve janë konfiskuar mbi 5.5 kilogramë substanca të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe kokainë, si dhe një armë dhe municion.
“Andaj me këto veprime për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së”.
“Të pandehurit F.D., dhe E.D., që nga data 02 Shtator 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartëcekura”, thotë Prokuroria.



