
Ish-asamblisti i LDK-së në Suharekë, Selman Kolgeci, ka reaguar lidhur me ndërprerjen e kontratave për së paku 80 punonjës shëndetësorë në këtë komunë.
Kolgeci ka thënë se mjekë dhe infermierë, në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve, janë detyruar të kthehen në shtëpi.
“Sot, së paku 80 punonjës shëndetësorë (mjekë e infermierë) në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve, janë detyruar të kthehen në shtëpi”, ka shkruar Kolgeci.
Sipas tij, situata ka ardhur si pasojë e mosvazhdimit të kontratës ndërmjet Caritas Kosova dhe Komunës së Suharekës, për shkak të mungesës së buxhetimit për këtë kategori.
Kolgeci ka ngritur shqetësime edhe për pagat e punonjësve shëndetësorë, duke thënë se ata ende nuk janë paguar për muajt korrik dhe gusht.
“Ironia është edhe më e madhe kur dihet se këta punëtorë nuk kanë marrë akoma pagën për muajt Korrik dhe Gusht, ndërsa sot përballen edhe me ndërprerje të kontratës së punës”, ka deklaruar ai.
Ish-asamblisti i LDK-së ka kritikuar edhe mënyrën e ndarjes së subvencioneve nga Komuna e Suharekës.
“Për ‘dosta’ e bashkëpartiakë ka subvencione pa kritere, ndërsa për punëtorët shëndetësorë nuk gjenden mjete për paga madje edhe largohen nga puna”, ka shkruar Kolgeci.
Ai ka paralajmëruar se pasojat e kësaj situate do t’i bartin qytetarët, pasi shërbimet shëndetësore pritet të dobësohen.
“Pasojat do t’i bartin qytetarët sepse shërbimet shëndetësore do të dobësohen ndjeshëm, ndërsa pritet që disa AMF dhe QMF do të funksionojnë me orar të reduktuar në krahasim me atë të deri djeshëm.” Është shprehur Kolgeci.
Kolgeci e ka cilësuar situatën si “goditje direkte ndaj shëndetit publik dhe punëtorëve shëndetësorë”.
Në fund, ai ka falënderuar punonjësit shëndetësorë për shërbimin që u kanë ofruar qytetarëve./TandemPress/


