
Ministria e Mbrojtjes ka hapur procedurën e re të prokurimit për transportin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa një pjesë e veçantë e shërbimit përfshin transportin e pjesëtarëve që shërbejnë në kazermën në Shirokë të Suharekës.
Tenderi është ndarë në katër pjesë, ndërsa Suhareka është përfshirë në Lotin 4, bashkë me kazermën e Gjakovës. Vlera e parashikuar e këtij loti është 570 mijë euro për tri vite: 10 mijë euro për vitin e parë, 270 mijë euro për të dytin dhe 290 mijë euro për vitin e tretë. Kjo shumë, megjithatë, është e përbashkët për transportin nga kazermat e Suharekës dhe Gjakovës dhe dokumentacioni nuk e ndan shumën vetëm për Shirokën.
Vetëm nga kazerma në Shirokë janë paraparë gjashtë linja të rregullta transporti.Linja e parë do të lidhë Shirokën me Prishtinën dhe është paraparë të realizohet me autobus me 51 deri në 61 ulëse. Distanca e përafërt në një drejtim është 75 kilometra, ndërsa në këtë relacion janë paraparë 55 pjesëtarë.
Linja e dytë është Shirokë–Podujevë, me autobus të kapacitetit 51 deri në 61 ulëse, rreth 95 kilometra në një drejtim dhe 60 pjesëtarë.Një tjetër linjë do të niset nga Shiroka, do të kalojë përmes Vushtrrisë dhe do të përfundojë në Mitrovicë. Për këtë relacion është paraparë minibus me 19+1 ulëse, me distancë rreth 95 kilometra dhe 20 pjesëtarë.Shiroka do të lidhet gjithashtu me Drenasin dhe Skenderajn. Për këtë linjë kërkohet autobus me 40 deri në 50 ulëse, ndërsa janë paraparë 40 pjesëtarë dhe rreth 65 kilometra në një drejtim.
Linja e pestë do të lidhë Shirokën me Shtimen dhe Lipjanin, me minibus 19+1, rreth 45 kilometra dhe 22 pjesëtarë.Ndërsa linja e gjashtë niset nga Shiroka dhe përmes Malishevës vazhdon drejt Pejës. Për të është paraparë minibus me 19+1 ulëse, rreth 70 kilometra në një drejtim dhe 20 pjesëtarë. Të mbledhura së bashku, gjashtë linjat që nisen drejtpërdrejt nga kazerma në Shirokë parashohin transportin e rreth 217 pjesëtarëve të FSK-së.Dokumentacioni përcakton edhe orarin bazë të transportit.
Nisja nga kazermat pas përfundimit të orarit të punës duhet të bëhet nga ora 16:15, ndërsa në mëngjes pjesëtarët duhet të arrijnë në kazermë jo më vonë se ora 07:45, përveç rasteve kur Ministria kërkon orar tjetër.Nëse një autobus vonohet më shumë se 15 minuta, është paraparë aplikimi i masave ndëshkuese dhe zbritja nga pagesa ditore e linjës përkatëse.Transporti nuk do të kufizohet vetëm në ditët e zakonshme të punës.
Operatori duhet të jetë i gatshëm të ofrojë shërbim edhe gjatë vikendeve, festave dhe pushimeve kur aktivizohet gatishmëria, si dhe për lëvizjen e pjesëtarëve në ceremoni, parada ushtarake apo aktivitete të tjera. Për këto raste operatori duhet të njoftohet së paku 24 orë paraprakisht.Kërkesa të veçanta janë vendosur edhe për autobusët. Automjetet që do të transportojnë pjesëtarët e FSK-së nuk duhet të jenë më të vjetra se 15 vjet, duhet të kenë dokumentacion dhe kontroll teknik të vlefshëm, sistem funksional të klimatizimit dhe ngrohjes, si dhe të mbahen në gjendje të pastër dhe të përshtatshme higjienike.
Në rast defekti gjatë transportit, operatori ka 60 minuta kohë për ta eliminuar problemin ose për ta zëvendësuar automjetin. Nëse klimatizimi apo ngrohja nuk funksionojnë, mund të aplikohen penalitete deri në 10 për qind, ndërsa përsëritja e penalitetit tri herë mund të çojë në procedurë për shkëputjen e kontratës. Operatori ekonomik duhet të ketë në dispozicion së paku katër autobusë dhe një minibus për lotin, si dhe shoferë të mjaftueshëm për të siguruar funksionimin e njëkohshëm të linjave.
Dokumentacioni kërkon minimum pesë shoferë, por specifikon se numri real duhet të jetë i mjaftueshëm për mbulimin e të gjitha linjave dhe orareve pa ndërprerje.Ministria ka lënë gjithashtu mundësinë që gjatë kontratës të shtohen deri në dy linja të tjera brenda zonës së Lotit 4, në rast të rekrutimeve të reja, transferimeve, gradimeve apo ndryshimeve të tjera në numrin dhe vendosjen e pjesëtarëve të FSK-së.
Kontrata publike kornizë është paraparë të zgjasë 36 muaj. Për Lotin 4, ku përfshihet edhe Suhareka, shërbimi i ri është planifikuar të nisë më 23 dhjetor 2026. Afati për dorëzimin e ofertave është 21 tetor 2026, në ora 14:00, përmes platformës së prokurimit elektronik. Ministria ka sqaruar se kontratat aktuale të transportit përfundojnë në dhjetor dhe se një vonesë në lidhjen e kontratave të reja do të krijonte rrezik për ndërprerjen e transportit të pjesëtarëve drejt kazermave.



