Gjermania nga 1 tetori vendos ta zbres çmimin e derivateve

Shoferët në Gjermani pritet të përfitojnë nga një lehtësim i ri në çmimin e karburanteve duke filluar nga 1 tetori 2026

Qeveria federale dhe landet kanë rënë dakord që taksa e energjisë për benzinën dhe naftën të ulet me 14 cent për litër deri në fund të këtij viti. Kur llogaritet edhe efekti i TVSH-së, lehtësimi tatimor arrin në rreth 17 cent për litër.

Masa është paraparë të zbatohet nga 1 tetori deri më 31 dhjetor 2026 dhe, sipas Qeverisë gjermane, pritet t’u sjellë qytetarëve dhe bizneseve një lehtësim të përgjithshëm prej rreth 2.5 miliardë eurosh.Në praktikë, nëse ulja bartet plotësisht te konsumatori, një mbushje prej 50 litrash do të kushtonte rreth 8.35 euro më pak, ndërsa për 60 litra kursimi do të ishte rreth 10 euro. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çmimi i shfaqur në pompë do të bjerë domosdoshmërisht saktësisht me 17 cent, pasi ai ndikohet edhe nga çmimi i naftës së papërpunuar, transporti dhe politikat e kompanive të karburanteve. Qeveria thotë se ulja e ngjashme e taksës në maj dhe qershor 2026 ishte përcjellë në masë të madhe te konsumatorët.

Për një veturë që shpenzon mesatarisht 7.4 litra në 100 kilometra dhe përshkon 12,500 kilometra në vit, konsumi vjetor është rreth 925 litra. Nëse 17 centët do të aplikoheshin për gjithë këtë sasi, kursimi teorik do të ishte rreth 155 euro. Por meqë masa e re zgjat vetëm tre muaj, kursimi real deri në fund të vitit do të varet nga sa karburant harxhon dhe furnizon secili shofer gjatë periudhës tetor–dhjetor.

Lehtësimi nuk pritet të jetë masa e fundit për çmimet e karburanteve në Gjermani. Qeveria federale ka paralajmëruar bisedime me industrinë e naftës për vendosjen e një kufiri të përkohshëm të çmimeve të karburanteve, me synimin që një sistem i tillë të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janari 2027. Si modele po shqyrtohen Luksemburgu dhe Belgjika, por mënyra konkrete e funksionimit ende nuk është finalizuar.Ndryshimi është veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët që përdorin automjetin çdo ditë, përfshirë edhe numrin e madh të kosovarëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, pasi sa më shumë kilometra të përshkohen gjatë tre muajve të zbatimit, aq më i madh do të jetë përfitimi nga ulja e taksës.

Artikuj të tjerë

Back to top button