
Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e njohur të veteranëve, duke liruar nga akuza Agim Çekun dhe nëntë të akuzuar të tjerë.
Në shkallën e parë, dhjetë të akuzuarit ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me nga një vit burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Me aktgjykimin e ri janë liruar nga akuza Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.Apeli ka konstatuar se nuk është provuar se këta të akuzuar e kanë kryer veprën penale për të cilën ishin akuzuar.
Ndërkaq, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, të cilët ishin liruar nga akuza që në shkallën e parë, mbeten të liruar edhe pas shqyrtimit në Apel.Prokuroria Speciale kishte kërkuar që Lushtaku dhe Elezaj të shpalleshin fajtorë, ndërsa për dhjetë të dënuarit kishte kërkuar dënime më të larta.Megjithatë, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë në pjesën që lidhej me lirimin e Lushtakut dhe Elezajt.Kërkesa për dënime më të larta ndaj të tjerëve ka mbetur pa objekt, pasi Apeli ka nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tyre.
Rasti lidhet me procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Sipas aktakuzës, të pandehurit, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të kategorive të dala nga lufta, dyshoheshin se kishin tejkaluar kompetencat dhe kishin mundësuar përfitimin e kundërligjshëm të statusit të veteranit për persona të caktuar.
Prokuroria kishte pretenduar se si pasojë e këtij procesi, buxhetit të Kosovës i ishin shkaktuar dëme në vlerë prej dhjetëra milionë eurosh.Mbrojtja, ndërkaq, kishte kundërshtuar mënyrën se si ishte vërtetuar përgjegjësia individuale e të akuzuarve dhe kishte pretenduar se nuk kishte prova se ata kishin vepruar me dashje për t’ua mundësuar personave të tjerë përfitimin e kundërligjshëm të statusit.
Pas shqyrtimit të shkresave dhe ankesave, Apeli ka vendosur ta ndryshojë pjesën dënuese të aktgjykimit të Themelores dhe t’i lirojë dhjetë të akuzuarit.Shpenzimet e procedurës penale për personat e liruar nga akuza bien në barrë të mjeteve buxhetore.Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit mban datën 9 shtator 2026, ndërsa seanca e kolegjit ishte mbajtur më 27 korrik.



