
Nga: Natyra Dragusha
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Trepçës SH.A. dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që detyron ndërmarrjen të rikthejë Gëzim Mustafën në pozitën e Drejtorit të Flotacionit.//shkruan TandemPress.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e Trepçës nuk qëndrojnë dhe se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur drejt kur ka aprovuar kërkesëpadinë e Mustafës.
Në dokumentet që posedon TandemPress shkruhet:
Në shkallën e parë, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte anuluar vendimin nr. 5792, të 25 shtatorit 2024, kundër ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Trepçës SH.A, Faton Ahmeti.

Çështja më pas kishte kaluar në Gjykatën e Apelit, pasi Trepça e kishte kundërshtuar vendimin e shkallës së parë, duke pretenduar se gjykata kishte bërë shkelje në vlerësimin e gjendjes faktike dhe në zbatimin e ligjit.
Sipas gjykatës, rregullat e brendshme të Trepçës parashikojnë që transferimi i një punonjësi nga një njësi biznesore në tjetrën duhet të bëhet me kërkesë të udhëheqësit të njësisë përkatëse dhe me miratimin e strukturës përgjegjëse.

Në rastin e Mustafës, gjykata ka konstatuar se një kërkesë e tillë nuk ishte bërë.
Gjykata ka shqyrtuar edhe arsyetimin e përdorur nga Trepça për largimin e Mustafës nga pozita e drejtorit.

Në vendimin për transferim ishte përmendur nevoja për menaxhim më të mirë, ndërsa çështja ishte lidhur edhe me analizën e punës në Flotacionin “Tuneli i Parë” për vitin 2024.
Megjithatë, sipas Apelit, ndaj Mustafës nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore për të përcaktuar nëse kishte kryer ndonjë shkelje.
Gjykata ka marrë në konsideratë edhe provat e administruara gjatë procesit gjyqësor, nga të cilat, sipas aktgjykimit, performanca e Mustafës rezultonte e lartë.
Me lënien në fuqi të aktgjykimit të shkallës së parë, Trepça është e detyruar që Gëzim Mustafën ta rikthejë në vendin e tij të mëparshëm të punës, si Drejtor i Flotacionit në njësinë e biznesit “Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg”, në përputhje me kontratën e punës të datës 31 korrik 2023.
Përveç rikthimit në detyrën e mëparshme, Gjykata Themelore vendos dhe detyron Trepçën të kompensojë edhe dëmin financiar të shkaktuar nga ndryshimi i pozitës së punës.
Në aktgjykim përcaktohet shuma prej 544.34 eurosh, së bashku me kamatën ligjore prej 8 për qind, si dhe detyrimet që lidhen me kontributet pensionale dhe tatimin në burim./TandemPress


