Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se qëndrimet e ministres serbe Jelena Paunoviq kanë shkaktuar shqetësim dhe ndjenjë pasigurie te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë medias serbe “Kurir”, në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

Sipas Kamberit, edhe pse Paunoviq nuk ka kompetenca për të ndërmarrë veprime në Kosovë, deklaratat e saj kanë ndikim të drejtpërdrejtë te komuniteti shqiptar në Luginë, veçanërisht sa i përket ndjenjës së sigurisë dhe qetësisë.

Kamberi ka theksuar se pozita institucionale e ministres, e cila mbulon fusha që lidhen me administratën publike dhe regjistrat qytetarë e zgjedhorë, rrit shqetësimet te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ai ka paralajmëruar se çdo politikë që mund të ndikojë në statusin e qytetarëve apo në përbërjen demografike të zonës do të shihej si kërcënim serioz.

“Zonja Paunoviq duke mos pasur as kompetencën më të vogël me bë diçka në Kosovë. Por deklarata e saj drejtpërdrejt reflekton mbi ndjenjat, mbi sigurinë, mbi qetësinë e shqiptarëve këtu në Luginë të Preshevës. Sepse nëse ambicia e saj është të shpërngulë dy milionë shqiptarë të Kosovës, ajo si ministre e pushtetit lokal, e cila mbikëqyr regjistrat zgjedhorë, e cila statusin e qytetarëve e mbikëqyr atje në ministrinë e saj, e ka më lehtë politikën e saj të spastrimit etnik ta zbatojë në Luginë të Preshevës…

Po sigurisht që kur vjen nga një ministre, përgjegjëse për shumë të drejtat qytetare, nga një qeveri e cila hesht, nga presidenti i cili mundohet të relativizojë deklaratën e saj dhe nga kryetari i Partisë Socialiste që njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër edhe ministër i Punëve të Brendshme, vendi për frikë është i realshëm. Prandaj edhe, edhe shqetësimet edhe te unë edhe te Luginës së Preshevës dhe te shqiptarët këtu.

Është deklaratë që nxit shqetësime, por ne nuk do të dorëzohemi para çfarëdo kërcënimi që mund të vijë nga Beogradi, qoftë ai i vërtetë apo imagjinar. Sepse kërcënimet e saj ndaj Kosovës janë vetëm imagjinare, Luginën e Preshevës ka kompetenca për të bërë veprime antinjerëzore, anticivilizuese, dhe që mund të çojnë në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë se ne, pavarësisht deklaratave që vijnë nga Beogradi, do të dorëzohemi. Beteja jonë politike vazhdon, beteja jonë për të drejta ka me vazhdu, e do të duhet të jemi edhe më të ashpër edhe më këmbëngulës në kërkesat e tona që janë të drejta dhe që janë në mënyrë absolute konform atyre parimeve që e përbëjnë fundamentin e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button