KQZ-ja përcakton afatet: Fushata fillon më 28 maj, dorëzimi i listave për deputetë deri më 12 maj

KQZ ka përcaktuar afatet për zgjedhjet e 7 qershorit.

Fushata pritet të fillojë më 28 maj.

Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ:

Deklarimi i partive politike për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve bëhet nga 1 maj deri më 7 maj 2026.

Aplikimi për certifikim të subjekteve politike (përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) zhvillohet nga 2 maj deri më 10 maj 2026, ndërsa dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë bëhet nga 2 maj deri më 12 maj 2026.

KQZ vendos për certifikimin e subjekteve politike deri më 10 maj 2026, ndërsa për kandidatët deri më 15 maj 2026.

Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim hidhet më 16 maj 2026.

Sa i përket votuesve dhe organizimit teknik:

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës bëhet nga 6 maj deri më 17 maj 2026, ndërsa votimi përmes postës zhvillohet nga 25 maj deri më 6 qershor 2026.

Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, nga ora 07:00 deri 19:00.

Brenda vendit, periudha për kundërshtimin dhe korrigjimin e listës së votuesve zgjat nga 6 maj deri më 18 maj 2026.

Po ashtu, KQZ ka paraparë afate për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, akreditimin e vëzhguesve dhe emërimin e komisioneve zgjedhore komunale dhe këshillave të vendvotimeve gjatë muajit maj.

Dita e zgjedhjeve është caktuar më 7 qershor 2026, me orar votimi nga 07:00 deri 19:00.

Artikuj të tjerë

Back to top button