Kurti pas takimit me pakicat: Vazhdojmë të jemi optimistë, kemi pasur progres

Kryetari i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka treguar se për çfarë janë mbledhur në takim me përfaqësuesit e pakicave në Kuvend.

Në prononcimin e tij për mediat, ai tha se edhe pakicat ndajnë keqardhje për mos-realizimin e marrëveshjes politike me LDK-në për Presidentin.  

“Kemi pasur diskutime për marrëveshjen politike që kemi arritur me LDK-në për emrin e përveçëm të presidentit, për të cilin jemi dakorduar tashmë, për profesorin Bekim Sejdiu. Ata ndajnë keqardhje që marrëveshja nuk po mund të realizohet sepse gjashtë deputetë të LDK-së nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Ishim dhjetë veta, pesë jemi në qeveri, pesë në Kuvendin e legjislaturës së ardhshme. Janë dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptian dhe nga një serb, ashkali dhe rom. I falënderova për kontributin që japin dhe do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet, tash që kemi marrëveshje”, tha Kurti.

Ai kujtoi se dje pasdite ndodhi “një zhvillim negativ, por kemi pasur progres”, dhe në këtë legjislaturë, ai tha se janë më mirë se në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president.

Kurti theksoi se do të takohet sonte me Kryesinë e LVV-së për konsultime të brendshme.

Kreu i LVV-së tregoi edhe se çka është folur në takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nga kryetari Abdixhiku jam njoftuar mbi situatën që ekziston në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftove edhe unë për diskutimet me GP të LVV. Tash na duhet një mbledhje e re e Kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara. Vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se më parë”, shtoi Kurti.

Ai tha se propozimi konkret është profesor Bekim Sejdiu.

“Jemi marrë vesh, i kemi pasur autorizimet për të negociuar. Negociatat kanë rezultuar, shyqyr, me marrëveshje, por duket se dikush e ka pasur shumë më shumë problem që kemi arritur marrëveshje, sesa kur nuk kishim marrëveshje”, potencoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti. 

Artikuj të tjerë

Back to top button