
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi, duke bërë të ditur se do të ndërmarrë procedura statutare dhe disiplinore ndaj çdo anëtari të partisë që rezulton i përfshirë në këtë rast.
Në reagimin zyrtar, LDK ka dënuar çdo formë të presionit, shantazhit apo ndikimit në vullnetin e lirë të delegatëve, duke thënë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me parimet demokratike të partisë.
Sipas LDK-së, në materialin e publikuar pretendohet për ushtrim presioni ndaj një delegati përmes çështjeve që lidhen me punësimin e një familjari, pretendime të cilat partia i ka cilësuar të papranueshme.
“LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush, e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojnë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh”, thuhet në reagimin e partisë.
LDK ka njoftuar se do të nisë procedurat ndaj personave që mund të rezultojnë të përfshirë, pa dallim të funksionit apo pozitës, ndërsa ka kërkuar nga Prokuroria që të kryejë hetimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të rastit.Ndërkohë, zyrtari i Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla, ka mohuar akuzat, duke deklaruar se audio-incizimi është i manipuluar dhe se nuk ka ndikuar në punësime. Ai ka kërkuar që rasti të trajtohet nga organet kompetente.Edhe shefi i asambleistëve të LDK-së në Prishtinë, Egzon Pacolli, ka reaguar duke i cilësuar audio-incizimet si montazh dhe shantazh, duke pretenduar se publikimi i tyre synon të ndikojë në proceset e brendshme të partisë.LDK ka theksuar se do të mbrojë integritetin e proceseve demokratike dhe se vendimmarrja brenda partisë duhet të bazohet në votë të lirë.



