MDAP rihap procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë që i kishte pezulluar me arsyetimin e shmangies së dëmit eventual

Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, më 09.07.2026, kishte marrë vendim për pezullimin e 18 procedurave të rekrutimit të disa pozitave të larta drejtuese në institucionet qendrore të shtetit.

Në njoftimin për pezullimin e këtyre procedurave arsyetimi ishte se kjo po bëhej me qëllim që të shmangej ndonjë ‘dëm eventual’ dhe njëkohësisht të mos cenohet interesi publik.Në njoftim shpjegohej se procedurat që përfshinin konkurse për drejtorë agjencish, zëvendës drejtor e sekretar, mund të vazhdojnë në momentin e largimit të rrethanave objektive.

Në një përgjigje me shkrim nga MDAP, kanë thënë se pezullimi i përkohshëm i procesit të rekrutimit është ndërmarrë për shkak të një problemi teknik në sistem.“Meqenëse sistemi elektronik ka rol të rëndësishëm në procesin e rekrutimit, pezullimi i procesit ka qenë i nevojshëm për të siguruar kushtet për vazhdimin dhe mbarëvajtjen e tij.”- thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj ministrie.Po ashtu, në përgjigje thuhet se pas zgjidhjes së problemit teknik, pezullimi është shfuqizuar dhe procedurat po vazhdojnë, në përputhje me legjislacionin.

Kjo Ministri konsideron se pezullimi ishte nevojshëm që të sigurohej zhvillimi dhe mbarëvajtja e rregullt e procedurave të rekrutimit.Disa nga pozitat që ishin pezulluar me njoftimin e 9 korrikut ishin: Drejtor Ekzekutiv (tutje DE) i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, DE i Agjencisë për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, DE i Agjencisë së Sportit, DE i Agjencisë Antidoping, DE i Agjencisë për Zhvillimin e Rinisë, DE i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore e DE i Agjencisë Shtetërore të Arkivave.

Pozita tjera që ishin anuluar ishin edhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar, Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë e Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.

Artikuj të tjerë

Back to top button