
KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që gjatë sezonit dimëror ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë të kujdesshme, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.
Sipas KESCO-s, me uljen e temperaturave rritet edhe kërkesa për energji elektrike, ndërsa të dhënat tregojnë se konsumi te konsumatorët e rregulluar është rritur për 4,1 për qind në periudhën 1 shtator – 31 tetor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kompania ka bërë të ditur se në ditët e para të nëntorit është shënuar edhe një rritje shtesë e konsumit prej afro 25 për qind, krahasuar me muajin paraprak.
KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia, por shmangien e përdorimit të panevojshëm të saj.
Sipas KESCO-s, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare dhe zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë.
“Përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, në zvogëlimin e ngarkesës gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe në shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike. KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri ta përdorin energjinë elektrike me kujdes, duke shmangur shpenzimet e panevojshme”.
“Çdo kilovat-orë i kursyer ka vlerë. Për familjen tuaj dhe për të gjithë ne”, thuhet në thirrjen e KESCO-s.



