
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hapur procedurë prokurimi për ndërhyrje restauruese dhe konservuese në tri asete të trashëgimisë kulturore në rajonin e Gjilanit.
Sipas njoftimit për kontratë, projekti përfshin Kullën e Fetah Kurexhajt në Kurexhaj, Kullën e Idriz Feratit në Çelik dhe Koshin e Fevzi Hoxhës në Cërrnicë, shkruan
Vlera e parashikuar e kontratës është 235 mijë e 202.95 euro, e ndarë në tri lote. Për Lotin I, që përfshin Kullën e Fetah Kurexhajt, janë paraparë 149,259.75 euro, për Lotin II, Kullën e Idriz Feratit, 70 mijë euro, ndërsa për Lotin III, Koshin e Fevzi Hoxhës, 15,943.20 euro.
Kontratat parashihet të kenë kohëzgjatje prej 12 muajsh, nga nënshkrimi i Planit për Menaxhimin e Kontratës.
Sipas dokumentit, operatorët ekonomikë duhet të plotësojnë një sërë kriteresh profesionale dhe teknike, përfshirë posedimin e licencës profesionale B2 për zbatimin e punëve të konservimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore të paluajtshme.
Në tender kërkohet gjithashtu staf profesional nga fusha e arkitekturës, ndërtimtarisë, hidroteknikës, elektroteknikës dhe makinerisë, si dhe së paku 20 punëtorë profesionalë dhe mbështetës për realizimin e projektit.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 21 shtator 2026, në orën 13:30, ndërsa ofertat duhet të dorëzohen vetëm në mënyrë elektronike. Kriteri për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët.
Në njoftim thuhet se afati për tenderim është shkurtuar për shkak të gjendjes së rënduar të aseteve dhe rrezikut të degradimit të mëtejshëm të monumenteve, si dhe rrezikut që ato paraqesin për banorët përreth dhe kalimtarët.



