MINTI gjobit me 90 mijë euro KEDS-in për parregullsitë me njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për njehsorë elektrikë me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Sipas Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, gjatë prillit janë pranuar 574 ankesa të konsumatorëve për parregullsi në njehsorë elektrikë.

Nga 54 njehsorë të testuar në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa 18 kishin afat të skaduar.

MINTI ka bërë të ditur se ankesat po përcillen për kompensim dhe raportet do t’u dorëzohen organeve të drejtësisë për hetime të mëtejme.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjegjësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë. MINTI gjatë muajit prill 2026, ka vazhduar me verifikimin e ankesat e konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë. Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.

Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.

Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar. Raportet zyrtare nga komisioni verifikues do të dorëzohen edhe në organet e drejtësisë si prova për zhvillimin e procedurave hetimore të nisura.

MINTI siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë me trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave, bazuar në gjetjet përkatëse

Artikuj të tjerë

Back to top button