
Një incident që nisi me humbjen e një lope nga tufa përfundoi me ndalimin policor të një blegtori nga Graçanica. Hashim Miftari thotë se kishte shkuar në oborrin e Gjykatës për ta marrë kafshën e tij, por pas ndërhyrjes së Policisë ishte dërguar në stacion dhe më pas ishte mbajtur për 48 orë.
Në rrëfimin e tij, Miftari shpjegon se në tufën e tij ka më shumë se 20 krerë bagëti dhe se gjatë ditës së incidentit kishte vërejtur që njëra prej lopëve ishte larguar. Pasi kishte dëgjuar qentë duke lehur në drejtim të objektit të Gjykatës, ai dyshon se kafsha kishte përfunduar pikërisht aty.
Kur kishte arritur në objekt, ai thotë se kishte tentuar të hapte dyert për të hyrë në oborr dhe për ta nxjerrë lopën, por kishte hasur në dyer të mbyllura.
Sipas tij, rreth orës 16:00 në vendin e ngjarjes kishin arritur zyrtarët policorë, të cilët ishin futur në oborr pasi sigurimi ua kishte hapur derën.
Miftari pretendon se aty kishte qenë edhe kryetari i Gjykatës, i cili, sipas rrëfimit të tij, i kishte kërkuar sigurimit që të mos ia kthente kafshën.
Ai thotë se mes tyre kishte pasur vetëm një debat verbal lidhur me mundësinë e marrjes së lopës, ndërsa më pas ishte larguar nga vendi, duke e lënë kafshën në oborrin e Gjykatës.
Megjithatë, sipas Miftarit, policët më pas e kishin ftuar që të shkonte në stacion. Ai kishte kërkuar që fillimisht të kthehej në shtëpi për t’i mbyllur bagëtitë, pasi nuk kishte kush të kujdesej për to.
Pasi kishte përfunduar këtë punë, ai kishte shkuar vetë në stacionin policor, ku ishte intervistuar lidhur me rastin.
Pretendon se u ndalua pa iu mundësuar avokat
Miftari tregon se pas dhënies së deklaratës, zyrtarët policorë e kishin njoftuar se do të ndalohej për 48 orë, me urdhër të prokurorit, nën dyshimin për veprën penale “Dëmtim i pronës”.
Ai pretendon se gjatë kësaj procedure kishte kërkuar të kontaktonte me familjen dhe të angazhonte një avokat, por thotë se nuk i ishte mundësuar një gjë e tillë.
Sipas tij, pasi kishte tentuar të komunikonte me bashkëshorten dhe djalin, telefoni i ishte marrë nga zyrtarët policorë.
Miftari thotë se kishte insistuar të kishte përfaqësim juridik, madje kishte deklaruar se ishte i gatshëm ta paguante vetë avokatin. Megjithatë, pretendon se kërkesa e tij nuk ishte marrë parasysh.
Ai shton se kishte kërkuar edhe ta lexonte deklaratën para se ta nënshkruante, por sipas tij, nuk i ishte ofruar mundësia që të konsultohej me një avokat.
Pas kësaj, atij i ishin lidhur duart dhe ishte dërguar në qendrën e mbajtjes në Lipjan.
Shqetësimi për bagëtinë gjatë qëndrimit në mbajtje
Përveç ndalimit, Miftari thotë se gjatë qëndrimit në qendrën e mbajtjes e kishte shqetësuar edhe gjendja e bagëtive që kishte lënë në shtëpi.
Ai tregon se kishte më shumë se 20 krerë lopë dhe dhi dhe se bashkëshortja e tij nuk mund të kujdesej e vetme për të gjitha.
Sipas rrëfimit të tij, trajtimi nga zyrtarët policorë në qendrën e mbajtjes në Lipjan kishte qenë më ndryshe. Ai thotë se i kishin ofruar ushqim dhe ujë, ndërsa e kishin pyetur edhe nëse kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Miftari tregon se nuk kishte pritur që të lirohej aq shpejt, pasi kishte kaluar vetëm një kohë e shkurtër kur ishte njoftuar se mund të largohej.
Për faktin se rasti i tij ishte bërë publik në media, ai thotë se kishte marrë vesh vetëm pasi ishte liruar, kur ishte njoftuar nga djali i tij.
Pretendon për një konflikt të mëhershëm me kryetarin e Gjykatës
Miftari pretendon se pas kundërshtimit të tij ishte përfshirë edhe Policia dhe se gjatë atij rasti kishte pasur një përplasje me kryetarin e Gjykatës.
Megjithatë, këto pretendime mbeten deklarata të tij dhe nuk janë të konfirmuara në mënyrë të pavarur.
Paralajmëron ankesa në institucione
Blegtori nga Graçanica thotë se nuk e mohon përgjegjësinë për dëmet eventuale që mund të ketë shkaktuar lopa në objektin e Gjykatës, por këmbëngul se hyrja e kafshës në oborr nuk ka qenë e qëllimshme.
“Une kam kerku që të shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe se është i gatshëm të përgjigjet për çdo dëm që mund të jetë shkaktuar” tha ai.
Miftari ka paralajmëruar se do t’u drejtohet Avokatit të Popullit, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, për të kërkuar shqyrtimin e mënyrës se si është trajtuar rasti i tij.
Në këtë rast, prokuror është Blerim Igrishta nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Rrethanat e plota të incidentit, përfshirë arsyetimin për ndalimin 48-orësh dhe pretendimet e Miftarit për shkeljen e të drejtave të tij gjatë procedurës policore, mbeten për t’u sqaruar nga institucionet përkatëse/ raporton Kallxo.com, shkruan TandemPress



