Ngjarje e rëndë në Fushë-Arrëz, dhunohen brutalisht një çift bashkëshortësh pasi sinjalizuan parcelat me kanabis

Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar në fshatin Arst, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, duke tronditur të gjithë zonën atje.

Burime nga policia bëjnë me dije për A2CNN se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e bashkëshortëve Skënder dhe Bardhe Nika, ku i kanë sulmuar brutalisht. Si pasojë e dhunës, çifti ka pësuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura në gjymtyrë, këmbë dhe duar.

Nga të dhënat paraprake, dyshohet se kjo ngjarje mund të lidhet me një sinjalizim që familja Nika kishte bërë më herët pranë policisë, në lidhje me një operacion antidrogë në zonë.

Vetëm pak javë më parë, në afërsi të banesës së tyre, autoritetet zbuluan rreth 15 mijë bimë kanabisi. Parcelat dyshohet se i përkisnin një personi në kërkim, P. Delia, së bashku me dy djemtë e tij.

Ndërkohë, forcat e policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes dhe pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat dhe autorët e sulmit.//A2CNN

Artikuj të tjerë

Back to top button