
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përuruan sot përfundimin e projektit madhor “Siguria ujore dhe mbrojtja e kanalit”, një investim prej 18 milionë eurosh që e rikthen kanalin e Ibër-Lepencit në kapacitetin e tij hidraulik, rrit sigurinë e furnizimit me ujë dhe energji dhe modernizon mënyrën e mbikëqyrjes së kësaj infrastrukture kritike.
Në kuadër të projektit janë rehabilituar plotësisht 10 kilometra të kanalit, përfshirë 37 segmente kyçe përgjatë traseve të tij, është rritur kapaciteti i rrjedhjes në pikat kritike, si dhe është krijuar mundësia për përgjysmimin e turbullirës së ujit. Kanali i Ibër-Lepencit shtrihet në rreth 49 kilometra, nga Zubin-Potoku deri në Prishtinë, dhe përbën një nga arteriet kryesore të funksionimit të vendit.
Ai furnizon me ujë të papërpunuar impiantet që u shërbejnë mbi 500 mijë qytetarëve në nëntë komuna, siguron ujin e domosdoshëm për termocentralet dhe industrinë, si dhe mbështet ujitjen e tokave bujqësore në Rrafshin e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se rëndësia e kanalit shkon shumë përtej vetë infrastrukturës ujore.
“Prandaj mbrojtja e tij nuk është çështje lokale dhe as vetëm teknike. Është mbrojtje e jetës së përditshme të Republikës: e dritës në shtëpi, e ujit në rubinet, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës në arë”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se përfundimi i projektit shënon kalimin nga reagimi ndaj problemeve te ndërtimi i kapaciteteve që garantojnë vazhdimësinë e shërbimeve esenciale.
“Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut; ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet esenciale të vazhdojnë të ofrohen me cilësinë e duhur”, deklaroi Kryeministri Kurti.
Një komponent i veçantë i investimit është mbulimi i segmentit prej 400 metrash të kanalit në Zubin-Potok, i realizuar me rreth 1.1 milion euro nga mjetet vetanake të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Ndërhyrja është realizuar në bashkëpunim me komunitetin lokal dhe rrit njëkohësisht sigurinë e kanalit dhe të banorëve përreth tij. Sipërfaqja e krijuar mbi segmentin e mbuluar do të jetë në dispozicion të komunitetit si hapësirë publike.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se investimi sjell tri ndryshime thelbësore në funksionimin e sistemit.
“Projekti ‘Siguria ujore dhe mbrojtja e kanalit’ ka dhënë tri rezultate kryesore: e ka rehabilituar kanalin dhe rikthyer kapacitetin e tij, e ka përmirësuar cilësinë e ujit, si dhe e ka modernizuar mënyrën se si monitorohet e menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë”, tha ministrja Rizvanolli.
Duke folur për ndikimin e drejtpërdrejtë të rehabilitimit në furnizimin me ujë, ministrja Rizvanolli veçoi përmirësimin e cilësisë së ujit që mbërrin në impiantet e trajtimit.
“Me rehabilitimin e kanalit janë krijuar kushtet që turbullira e ujit të ulet për 50 për qind. Uji që arrin në impiantet e trajtimit do të ketë më pak papastërti dhe sedimente. Ujë më i pastër në hyrje do të thotë trajtim më i sigurt dhe më efikas para se ai të mbërrijë në rubinetat e qytetarëve”, deklaroi ministrja Rizvanolli.
Rehabilitimi ka përfshirë veshjen me beton të ri të armuar të segmenteve të degraduara dhe sanimin e pjesëve me dëmtime strukturore dhe rrjedhje aktive. Në pikat ku sistemi përballej me vështirësitë më të mëdha, kapaciteti i rrjedhjes është rritur për 1.3 metra kub ujë në sekondë. Kjo mundëson furnizim më të qëndrueshëm të ujësjellësve dhe termocentraleve dhe zvogëlon rrezikun nga ndërprerjet. Sistemi i ri SCADA dhe telemetria do të mundësojnë që, për herë të parë, rrjedha, niveli dhe cilësia e ujit përgjatë kanalit të monitorohen automatikisht 24 orë në ditë. Të dhënat transmetohen në kohë reale në qendrën e kontrollit, duke mundësuar identifikimin e menjëhershëm të problemeve dhe ndërhyrjen më të shpejtë.
Pas ceremonisë në Zubin-Potok, kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli vizituan edhe stacionin rregullues, përkatësisht rezervuarin balancues në Mihaliq të Vushtrrisë. Rezervuari ka kapacitet prej 30 mijë metrash kub dhe përbën një nga elementet kryesore të projektit për rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit.
Me vlerë rreth 2.1 milionë euro, rezervuari mundëson furnizim emergjent për termocentralet e KEK-ut ose për fabrikën e ujit në Shkabaj. Për herë të parë, ai krijon mundësinë që në kanal të kryhen riparime urgjente, mirëmbajtje ose ndërhyrje gjatë emergjencave dhe episodeve të turbullimit të ujit, pa ndërprerë shërbimin për konsumatorët.
Projekti është financuar me 15 milionë euro kredi nga Banka Botërore dhe 3 milionë euro nga mjetet vetanake të Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.
Masat e përfunduara sot e bëjnë sistemin më të aftë t’u rezistojë dëmtimeve, defekteve dhe situatave emergjente, duke kufizuar ndikimin e tyre të mundshëm te qytetarët, prodhimi i energjisë dhe ekonomia.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendësministrat e Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe Triera Kasumi-Berisha, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, Bankës Botërore, punëtorë dhe inxhinierë të angazhuar në projekt.



