Përkujtohet ish-aktivisti i LDK-së në Suharekë, Enver Kolgeci

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të aktivistit dhe bashkëpunëtorit Enver Kolgeci nga Vraniçi, Dega e LDK-së në Suharekë, e udhëhequr nga kryetari Ardian Shala, mbajti një takim përkujtimor me familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij.

Në këtë takim u ndanë kujtime dhe u vlerësua lart kontributi i Enver Kolgecit ndër vite, veçanërisht angazhimi i tij në mbledhjen e fondeve për Republikën e Kosovës dhe përpjekjet për liri gjatë viteve ’90 në mërgim, si dhe puna e tij në rindërtimin dhe zhvillimin e vendit pas luftës.

“Enver Kolgeci do të kujtohet gjithmonë për besnikërinë, guximin dhe dashurinë ndaj atdheut”, ka shkruar Shala.

Të pranishmit e përshkruan atë si njeri të vendosur, shok besnik dhe trim të rrallë, duke theksuar se vepra e tij do të mbetet shembull për brezat që vijnë.

“Njerëzit si Enveri largohen fizikisht, por vepra e tyre mbetet e pavdekshme”, ishte një tjetër mesazh i dhënë në këtë përvjetor.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij, kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala, ndau mirënjohje post-mortem për kontributin e jashtëzakonshëm të Enver Kolgecit.

Artikuj të tjerë

Back to top button