Përparim Rama emëron Nënkryetare të Prishtinës Besianë Musmuratin e PDK-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se ka emëruar Besianë Musmuratin e Partisë Demokratike të Kosovës si Nënkryetare të Prishtinës.

Njoftimi i plotë: 

Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës.

Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike. 

Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.

Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.

I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re, në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit.

Artikuj të tjerë

Back to top button