
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka shqiptuar 774 gjoba dhe u ka konfiskuar 152 patentë shoferë, gjatë zbatimit të Planit Operativ “DRONI”.
Plani, i cili ka nisur më 9 shtator 2026, po zbatohet me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të aksidenteve, përmes vëzhgimit dhe monitorimit të trafikut me dronë.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë pesë ditëve të zbatimit të planit janë identifikuar kundërvajtje të rrezikshme, ndërsa ndaj shkelësve janë ndërmarrë masat përkatëse. Për 152 drejtuesit, marrja e patentë shoferëve është bërë si masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjeteve motorike.
Shkeljet më të shpeshta kanë qenë tejkalimet në kthesa, tejkalimet në vende ku ndalohen me shenja vertikale dhe horizontale të komunikacionit, tejkalimi i kolonës së automjeteve, si dhe tejkalime të tjera të pasigurta.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë



