Ramadani: Vazhdimi i seancës më 9 shtator, provokim i qëllimshëm

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka deklaruar se sot, më 5 shtator, skadon edhe afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, nëse merret për bazë interpretimi politik i Vetëvendosjes.

Ramadani, përmes një shkrimi në Facebook, ka rikthyer në vëmendje afatet që lidhen me konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve.

 “Interpretimi kushtetues është se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve. Sipas këtij interpretimi, afati ka përfunduar më 7 gusht”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka theksuar se Vetëvendosje më herët ka pasur një interpretim tjetër politik, sipas të cilit afati prej 30 ditësh duhet të llogaritet nga dita e thirrjes së seancës konstituive.

“Sipas kësaj logjike, afati skadon sonte, më 5 shtator, në orën 23:59”, ka deklaruar Ramadani.

Deputeti i Aleancës ka kritikuar Vetëvendosjen, duke thënë se nuk është respektuar as interpretimi kushtetues dhe as ai politik që, sipas tij, është mbajtur më herët nga VV-ja.

Ramadani e ka cilësuar vazhdimin e seancës konstituive për 9 shtator si provokim të qëllimshëm dhe veprim që, sipas tij, prodhon jostabilitet institucional.

“Prandaj, thirrja e vazhdimit të seancës për 9 shtator nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si provokim i qëllimshëm dhe si një veprim që prodhon jostabilitet institucional. Kuvendi mund të konstituohet vetëm edhe sot. Pas sonte nuk ka më asnjë arsyetim, asnjë interpretim dhe asnjë sekondë shtesë. Pas ditës së sotme, nuk ka më afat as kushtetues, as politik, as moral”, shkroi Ramadani në Facebook.

Artikuj të tjerë

Back to top button