Shtime: Policia e Kosovës shpëton mrekullisht 72 vjeçarin pas rënies në një bunar të thellë 10 metra

Një 72-vjeçar është shpëtuar nga Policia e Kosovës pasi kishte rënë aksidentalisht në një bunar, teksa po ujiste kopshtin në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Muzeqinë të Shtimes

Rasti ka ndodhur të hënën, më 10 gusht, rreth orës 18:25, në rrugën “Veteranët e Lirisë”.

Pas marrjes së informatës për rastin emergjent, zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Në një veprim të rrezikshëm për shpëtimin e tij, njëri prej zyrtarëve policorë është futur rreth 10 metra në bunar dhe ka arritur ta sigurojë 72-vjeçarin me litar. Më pas, dy zyrtarë të tjerë kanë bërë tërheqjen, duke arritur ta nxjerrin personin të gjallë nga bunari.

I moshuari fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim të mëtejmë.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.

Policia Rajonale e Ferizajt ka falënderuar ekipet emergjente të QKMF-së në Shtime dhe Qendrës Emergjente në Ferizaj për reagimin e shpejtë dhe trajtimin profesional të 72-vjeçarit.

Artikuj të tjerë

Back to top button